You are not logged in.

Dear visitor, welcome to ¤ I L L Y R I A ¤. If this is your first visit here, please read the Help. It explains in detail how this page works. To use all features of this page, you should consider registering. Please use the registration form, to register here or read more information about the registration process. If you are already registered, please login here.

Dardanicum Sagittarius

Administrator

  • "Dardanicum" started this thread
  • Albania

Posts: 2,732

Date of registration: Jun 22nd 2010

Level: 44 [?]

Experience: 3,815,527

Next Level: 4,297,834

  • Send private message

1

Sunday, August 16th 2009, 10:13pm

Masakra e Bllacës - Akt gjenocidal i Brigadës XVI Maqedonase

MASAKRA E BLLACËS AKT GJENOCIDAL I BRIGADËS XVI MAQEDONASE

Prof. Dr. Muhamet PIRRAKU

Më 10.02.2007, Prishtinë


Shkurtimi: Katundi shqiptar Bllacë i përket krahinës etnografike të Karadakut të Shkupit, në kufi me Hanin e Elezit. Në ditët e para të rënie së fshatit nën okupimin e ushtrisë partizane jugosllave, Brigada XVI e Maqedonisë, e komanduar nga serbi albanofob Glisha Sharanoviq, organizoi racion ndaj Bllacës. Urdhrin për masakrime, plaçkitje dhe kalljen e fshatit e zbatoi komandanti Nikodin Urdarevski. Partizanët serbovllehë dhe bullgaromaqedonë pushkatuan dhe masakruar 109 shqiptarë të Bllacës. Në kujtesën nga dita e varrimit, më 22 nëntor 1944, flitet për 128 të pushkatuar dhe të therë: 1 më 15 nëntor, 119 më 16 nëntor dhe 8 më 17 nëntor.Martirët, emrat e të cilëve nuk na janë të njohur, u përkisnin fshatrave të shqiptare të Iliridës.

Qëmtime për historinë e Bllacës

Katundi Bllacë i përket krahinës etnografike të Karadakut të Shkupit. Është fshat shqiptar pararojë historike e Grykës së Kaçanikut nga oaza vllahe e Karadakut, të serbizuar dhe të bullgarizuar në periudhën osmane të vonë.[1] Lokaliteti i sotëm Hani i Elezit është i ngritur në rajonin perëndimor të Bllacës.[2] Të dhënat e prekshme të kulturës materiale dhe kujtesa historike tregojnë se Bllaca ishte një lokalitet shqiptar shumë i moçëm, i vendosur nën sqetullat shkëmbore të kodrës Rrasa e Ferës.[3] Në pjesën e ultë, fushore, midis fshatit dhe lumit Lepencë, janë toponimet Stanet e Katunit, Stanet e Toçëve dhe Stanet e Lusjanëve. Këto tëbane me kohë u kthyen në lagje me banim të përhershëm. Vërtet, rajoni i Staneve të Lusjanëve është lokalitet me një histori mijëvjeçare, së paku nga mesjeta e hershme dhe e mesme paraislame. Aty ekziston një lokalitet arkeologjik i zbuluar rastësisht, më 2001, me rastin e ngritjes së rrugës që lidhë katundin Bllacë me aksin rrugor Shkup - Kaçanik. Traseja ka këputur një rrënëzkodre mbi të cilën dallohet një tumë, për rreth së cilës ka varreza që nuk përtërihen. Tuma, sipas prerjes së rastit, ngjason në rrënojë të një objekti të kultit. Baza e vogël, themelet me llaç[4] sikur flasin për gërmadhën e një Kapele.[5] Grumbulli i koceve të ekstremiteteve dhe të rrashtave të kafkave të njerëzve, me madhësi të ndryshme, që shihen në prerjen e tumës, pikërisht nën rrënojat e godinës dhe afër saj, janë dëshmi e prekshme për një vdekje të llahtarshme që ka përjetuar Bllaca në histori.[6] Më poshtë Staneve të Lusjanëve, pikërisht afër Staneve të Toçëve, është vendi ku janë martirizuar, më 16 nëntor 1944, rreth 60 bllacjanë, e më poshtë saj është shullëri ku ishte varreza e tyre.[7]

Në anën lindore të katundit, në një vend piktoresk nën shullënë Mushçelcë, është varreza e katundit me një sipërfaqe prej afro nëntë hektarësh. Këto i këput rruga që lidhë Bllacën me katundin serb Gornjan, në hyrje të enklavës serbo-bullgare të Karadakut të Shkupit. Varreza është njëkohësisht edhe Vakëf i Xhematit të Ballacës. Lisat bung dhe qarr qindravjeçarë flasin për vjetërsinë e Varrezës islame të Bllacës. Për këtë fakt flet edhe një nishan mbivarrezor që konsiderohet më i vjetër se 350 vjet[8]. Kjo është dëshmi e mirë se islami në Bllacë nisi më së voni nga fund i shekullit XVI.[9] Kjo është periudha e rreshtimit masiv të ilirëve dardanë, maqedonë, epirotë e albanë në islam, përkatësisht fitorja e integrimit të kombësisë shqiptare dhe të njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë.[10] Bllaca ka xhami, e cila daton nga shekulli XVIII, pranë së cilës punoi mektebi për arsimimin fillestar islam për fëmijët e të dy gjinive.[11]

Nga periudha e fundit osmane në kujtesën historike të popullit përmenden krerët: Kamer Bardhi - urtak dhe pasanik; Ramadan Doçi - tregtar dhe zotëri i madh, Aziz Lusjani - tregtar i pasur dhe njeri i mirë, kurse Asman Toçi përmendet si luftëtar çlirimtar i internuar në Jemen. Pas kthimit nga internimi i bashkoi armët me Halit Brezën. Kaçakët në zë, Asmani dhe Haliti, ranë heroikisht në Bllacë, në një pritë nga zaptit e çaushëve osmanë të fshatit Kaliçan i Epër dhe Vërtekincë. Në këtë luftë ranë shtatë zapti osmanë, disa syresh i çeroi vëllai i Halit Brezës, i cili ishte në radhët e zaptive.[12]

Si kaçak i shquar në periudhën e fundit të robërisë osmane, shquhet Qazim Fera, i burgosur pas Kryengritjes së Madhe të vitit 1910. Nga burgu bashkëpunonte me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe u zotua se po të lirohej do ta vriste atasheun e Serbisë në Shkup. Për këtë qëllim u nxor nga burgu dhe e detyrën e kreu me përpikëri. Qazim Fera nuk iu dorëzua pushtuesit serb, më 1912, atij bullgar, më 1915 dhe as pushtetit jugosllav, më 1918.[13]

Katundi Bllacë me plojën serbe si akt gjenocidial antishqiptar u ballafaqua nga fundi i tetorit të vitit 1912. Vërtet, sapo këmba e soladateskes serbe shkeli Karadakun pushkatoi 12 bllacakë të zgjedhur. Disa të dhëna nga kujtesa historike flasin për 17 të pushkatuar deri më 1915. Dy prej tyre, Shaçir Nuredin Tushën dhe Hasan Zekë Arnorin i futën për së gjalli në furrë të gelqeres në fshatin Banjan të Karadakut. Në periudhën midis Dy Luftërave Botërore pushtuesi jugosllav nuk ngriti shkollë, por as e pengoi punën e mektebit. Në këtë kohë vazhdoi shpërngulja e familjeve bllacake në Turqi, në Shkup, në Kaçanik e gjetkë. Në periudhën nga mesi i prillit 1941 deri më 8 shtator 1943 të Luftës së Dytë Botërore Bllaca i përkiste Zonës së interesit fashist bullgar, kurse pas kapitullimit të Bullgarisë deri më 14 nëntor 1944, përjetoi mbi 14 muaj “lirie” të Shqipërisë së ribashkuar në administrimin e Gjermanisë hitleriane.

Këtu duhet të vihet në pah fakti se katundit Bllacë, i një rëndësie të madhe strategjike për shqiptarinë e Karadakut, nuk iu lejua hapja e shkollës shqipe as në periudhën e robërisë nazifashiste të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë periudhë kryepleq (kmetë) të vendit ishin: Veli Tusha dhe Hamdi Fera[14] e pas tij Rexhep Fera, kurse njësitin ushtarak civil, të njohur me emrin Mbrojtja kontraçetnike, e përbënin: Qamil Imishti (komandant), Isuf Tusha, Islam Tusha, Zahedin Lusjani, Shukri Fera, Azem Koka, Qamil Fera dhe tre të tjerë.[15] Ky njësit kishte për detyrë të pengonte aktivitetin diversant të çetnikëve të Karadakut dhe të siguronte qarkullimin e lirë të trenit në pjesën e ferovisë Shkup - Gërlicë - Mitrovicë që i takonte sinorit të Bllacës.

Në periudhën e administrimit hitlerian të gjithë ballacakëk e aftë për armë iu bashkuan Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës nën komandën e Abdyl Durës së Kaçanikut, kundër ushtrisë bullgare dhe njësiteve çetniko-komuniste të Karadakut të Shkupit. Djalërinë luftarake e ushtroi në shenjëtari dhe në taktikën ushtarake oficeri Xhyli Shaban Uka intelektualnga Kaçaniku, i cili bashkëpunoi edhe me Lëvizjen Antifashiste Kominterniste në Tregun e Ri të Sanxhakut, në Mitrovicë dhe në Kaçanik.[16] Në luftërat e përgjakshme të Karadakut, më 19 dhe 20 shtator 1944, midis forcave vullnetare të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës dhe ushtrisë partizane serbo-maqedone të Karadakut të Shkupit, ranë dëshmorë të Shqipërisë Etnike edhe bllacakët: Arif Toçi, Haziz Lusjani dhe Sabedin Salihasi, kurse u plagosën Rexhep Fera, Zahedin Bardhi dhe Sejdi Lusjani.

Dardanicum Sagittarius

Administrator

  • "Dardanicum" started this thread
  • Albania

Posts: 2,732

Date of registration: Jun 22nd 2010

Level: 44 [?]

Experience: 3,815,527

Next Level: 4,297,834

  • Send private message

2

Sunday, August 16th 2009, 10:17pm

Këtu duhet të vihet në spikamë fakti se në katundin Bllacë nuk pati mbështetje të madhe Lëvizja Antifashiste Kominterniste. Realisht, në linjë të “vëllazërim-bashkimit me shkije” vepruan vetëm dy bllacakë: Fetah Kovaçi dhe Shaban Arnori, të cilët shërbyen si lidhje dhe përcjellës të komunistëve dhe të partizanëve serbë dhe maqedonë nëpër fshatrat shqiptare.

Llahtaria kanibaliste serbo-maqedonase më 15, 16 dhe 17 nëntor 1944

Nga fillimi i tetorit 1944 u shënua kthesa vendimtare në dobi të fitoreve të Lëvizjes Antifashiste Kominterniste në tokat shqiptare[17], kurse më 3 nëntor 1944, ideologu serb albanofob Vasa Çubriloviç, tashti Ministër për Ekonomi i Serbisë, lëshoi për përdorim sekret instruksionet për qarqet ushtarake të Jugosllavisë - për zhdukjen me të gjitha mjetet të shqiptarëve etnikë, të gjermanëve dhe të etnive të tjera josllave në arealin e ish-Mbretërisë së Jugosllavisë. Pasi do të konstatojë se "ne kurrë nuk kemi pasur kushte më të mira” për t’u liruar nga josllavët,udhëzonte: shqiptarëve "t'u merren të gjitha të drejtat, të nxirren para gjyqit ushtarak, të dërgohen në kampe përqendrimi, t'u konfiskohet pasuria dhe të detyrohen për shpërngulje!" dhepërfundonte: "Dy janë mënyrat të cilat do të merreshin parasysh për spastrimin radikal të shqiptarëve: që t'i shfarosim ose që t'i shpërngulim!"[18]

Për t’i plotësuar këto urdhërkërkesa Shtabi Suprem i tëashtuquajturës UNÇ dhe AP të Serbisë me udhëzime topsekret urdhëroi brigadat partizano-çetnike serbe, bullgaro-maqedone dhe malaziase që në “operacionet për çlirimin përfundimtar” të tokave shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, nën pretekstin për ndjekjen e bashkëpunëtorëve të okupatorit, të arrestonin, të pushkatonin dhe të masakronin personalitet e shquara kombëtare shqiptare, të konfiskonin pasurinë e luajtshme e të paluajtshme dhe të provokonin pakënaqësi të popullsisë dhe së fundi në shenjë të shtypjes së "revoltës", të masakroheshin me plumb, thikë e zjarr, më së paku 50% të shqiptarëve![19]


Qendra memoriale kushtuar Masakrës së Bllacës

Nga burimet ushtarake partizane serbe, maqedone e malazeze shihet qartë se Elaborati i Çubrilooviqit dhe Urdhëresa e Shtabit Suprem të Serbisë vetëm po e institucionalizonin një praktikë që ishte vu në zbatim në viset shqiptare përgjatë kufirit me Malin e Zi, me Serbinë dhe në vijën etnike shqiptare të Iliridës në Maqedoni. Për këtë konstatim këtu të mjaftohemi vetëm me të dhënat nga një raport i Brigadës XVI të Maqedonisë e komanduar nga serbi albanofob Glisha Sharanoviq, nga i cili shihet se prej datës 6 tetorit 1944 (kur me partizanët u bashkuan forcat çetnike të Karadakut), në itinerarin prej Karadakut deri në Shkup, më 14 nëntor 1944, nëpër fshatrat shqiptare, pushkatoi rreth 200 shqiptarë të zgjedhur dhe të paarmatosur.[20] Një batalion i kësaj brigade hyri në fshatin Bllacë më 14 nëntor 1944, i komanduar nga serbo-bullgari Nikodin Urdarevski i fshatit Çiçer të Karadakut[21], i cili do të zbatojë Msakrën e Bllacës të 16 nëntorit 1944.

Me këtë masakër të llahtarshme ushtria partizane jugosllave e Titos, e mbiquajtur “nacionalçlirimtare” dhe “antifashiste popullore”, përuroi përtëritjen e dhunës, të plaçkitjes, të zjarrvënies dhe të plojës piromane dhe kanibaliste ortodokse serbe antishqiptare si akte gjenocidiale në pjesën lindore të Shqipërisë Etnike, të cilën Evropa - shtrigë e At Gjergj Fishtës, ia ndau Serbo-Jugosllavisë Versajase. Ka të dhëna të sigurta nga burimet dhe kujtesa historike se Masakra e Bllacës është planifikuar dhe është zbatuar sipas instruksioneve kishtare, ushtarake e shtetërore të Serbisë.

Batalioni i Brigadës XVI Maqedonase i komanduarngaUrdarevski kishte rreth 300 ushtarë, të shpërndarë nëpër shtëpitë në vendet më strategjike në mbarë fshatin, ndërkaq Shtabi i ishte vendosur në shtëpinë e Tush Lusjanit. Më 15 nëntor, rreth orës dhjetë, në këtë shtab arritën popi dhe mësuesi të fshatit Gornjan. Këta e sollën urdhëresën sekrete të Shtabit të Brigadës XVI Maqedonase për Masakrën e Bllacës. Për këtë fakt flasin zhvillimet përgjakshme të 15, të 16 dhe të 17 nëntorit 1944. Sapo popi dhe mësuesi Zhivko Popi arritën në shtabin e batalionit, fshatarët hetuan një shqetësim të partizano-çetnikëve, kurse posa ata e lëshuan fshatin dhe morën drejtimin e Gornjanit, në Shtabin e Urdarevskit u ftua kryeplaku, tashti i quajtur këshill: Isuf Tusha me tre këshilltarë të tjerë.[22]

Komandanti Nikodin Urdarevski para përfaqësuesve të Bllacës tashti u shfaq shumë i egërsuar. Me një gjakpirësi krimineli i urdhëroi: “Brenda ditës ua dua 200 parë opinga dhe 200 parë çorapë ...!?” Përfaqësuesit e fshatit u gjetën të shtanguar. Duke pasur parasysh se për aq opinga duheshin së paku dhjetë lëkura të lopëve, të rexhura, Isuf Tusha deshi të sqaronte: “Shoku komandant, nuk kemi …!”, por Urdarevski e kërcënoi: “Nga lëkura jote do t’i nxjerrësh…!” Kjo kërkesë ishte vetëm pretekst për t’i acaruar marrëdhëniet me fshatarët, si shkas për masakrën që duhej ta kryente. Në mënyrë të prerë u urdhëroi të përgatisnin edhe bukën për batalionin. Këtë kërkesë e plotësoi i tërë fshati pa ngurim.

Vërtet, më 15 nëntor 1945, ditë e mërkurë, në fshat nuk ndodhi diçka e përgjakshme, kurse në Stanet e Katunit sulmoi raja serbo-maqedone e Karadakut, vrau bariun Azem Lusjanin dhe plagosi Beram Muçën. Sulmi në Stanet e Katundit ishte një prekje e pulsit dhe si paralojë për plojën që po përgatitej. Barinj, nga frika i lanë tëbanat dhe i sollën kafshët në katund, pre për të nesërmen.

Pikërisht më 16 nëntor 1944, dita e enjte, ora 8, komandanti i batalionit partizan Nikodin Urdarevski urdhëroi fshatarët nga mosha 17-70 vjeç të dilnin në Oborrin e Xhamisë, me kërcënimin se ata të cilët nuk do të vinin do të dënoheshin si dezertorë. Në nëntorin e vitit 1944 Bllaca kishte 77 familje, të cilat u përkisnin 17 vëllazërive[23], kurse Urdhrit iu bindën rreth 80 bllacakë.

Para tyre në lokalet e Mektebit ishin futur rreth 40 partizanë të armatosur deri në dhëmbë. Ata me një egërsi të paparë i urdhëruan fshatarët duarthatë të rreshtoheshin dhe nën kërcënimin me armë, i sollën në oborrin e shtëpisë së Tush Lusjanit, ku i priste komandanti Nikodin Urdarevski. Aty ua vunë përpara disa ushtarë me një pëlhurë të kuqe, si flamur, me madhësi prej rreth një metër katror dhe para tytave të armëve i nisën në drejtim të Staneve të Toçit. Gjatë rrugës i radhitën për tre dhe ua filluan rrahjet me kondakë dhe shqelma. Në afërsi të Staneve të Toçit i rreshtuan për një dhe në shtegun për në arnicën e Nazim Toçit, ku ishte planifikuar të kryhej ploja, secilit i dhanë të rëna mizore me hu gardhi. Në arnicë më herët i kishin sjellë dhjetëra lusjanë, toçë e të tjerë nga “Bllaca e Poshtme”, siç thuhej në raportet partizane.[24] Aty kishte arritur edhe komandanti Urdarevski.

Partizanët serbo-maqedonë i detyruan fshatarët civilë të uleshin në rresht për dy, njëri pas tjetrit. Komandanti fillimisht i mori në pyetje, ish-kontraçetnikët e periudhës të robërisë fashiste bullgare: Shukri Ferën, Qamil Ferën, Qamil Imishtin dhe Mustafë Tushën. I lidhën dorë me dorë, me shokat e tyre, i larguan vetëm rreth 30 metra dhe para syve të të gjithëve, i pushkatuan me breshëri automatiku. Asnjëri nuk nxori zë për lëmoshë as zë trishtimi.

Pushkatimi i këtyre katër burrave që punuan për Shqipërinë Etnike ishte uverturë për Masakrën e Bllacës, akt gjenocidial antishqiptar i Brigadës XVI Maqedonase. Ende pa u dalë shpirti, komandanti Urdarevski i zgjodhi pesë të tjerë, dhe i pushkatuan pranë të parëve. Kështu vazhdoi, duke zgjedhur, pikëçok. Të zgjedhurit për pushkatim Urdarevski i bënte vetëm një pyetje: “A ki pushkë…?” Tre veta pohuan se “kanë pushkë” dhe i ndanë anash[25]. Vazhdoi me pushkatim të grupeve nga pesë dhe nga gjashtë veta, pa interval. Asnjëri nuk lemerisi, asnjë gjëmë, asnjë bërtitmë, por vetëm njëri prej tyre bëri vdekje heroike. Ishte ky 36-vjeçari, Rrahman Çajani, i cili, sa po e shpinin në vendin e pushkatimit, i palidhur, me një guxim që kanë vetëm heronjtë, ia kapi pushkën partizanit përcjellës dhe meqë ky nuk ia lëshoi, Rrahmani e rrëzoi përtokë, për ta ngulfatur. Një partizan tjetër, i bezdisur, shtiu me pushkë me tytën ngjitur për kurrizin e martirit dhe plumbi që përshkoi trupin e tij vrau edhe ushtarin nën të. Komandanti fare qetësisht vazhdoi të zgjidhte më të pashmit, ata që nuk ndërronin çehre dhe gjithsej, njërin pranë tjetrit, i pushkatuan rreth 60 veta.

Dardanicum Sagittarius

Administrator

  • "Dardanicum" started this thread
  • Albania

Posts: 2,732

Date of registration: Jun 22nd 2010

Level: 44 [?]

Experience: 3,815,527

Next Level: 4,297,834

  • Send private message

3

Sunday, August 16th 2009, 10:20pm

Nga pjesa tjetër komandanti Nikodin Urdarevski ndau shtatë të rinj nga mosha 15-18 vjeçare dhe pesë pleq 60-70 vjeçarë dhe i urdhëroi: “Shporruni kah sytë andej këmbët…!” Të tjerët, rreth 20 veta, gjithnjë para tytave të armëve, i sollën te Qeshma e Katundit. Njëkohësisht të Qeshma e Katundit partizanët kishin sjellë edhe shumë të tjerë, të kapur gjatë bastisjeve të shtëpive. Ndërkaq, Ramiz Ferën, Brahim Kovaçin dhe Metush Kokën, të cilët të Stanet e Toçit thanë se “kemi pushkë”, i sollën në fshat. Meqë ata, sapo arritën në fshat, e mohuan se kanë armë, edhe këta i sollën te Qeshma e Katundit. Edhe ky grup kishte rreth 60 veta. Të lidhur me shokat e tyre, nga tre dhe katër, i nisën në kolonë në drejtim të Hanit të Elezit.

Nga para, nga pas dhe nga anash kolonës të prangosur u shkonin rreth dyzet partizanë nën komandën direkt të komandantit Nikodin Urdarevski, i cili shalonte një kalë të bardh. Vazhdimisht i torturuan, i fyen. Te Kodra Epër ia dolën të iknin tre veta: Ramiz Fera, Shefki Fera dhe Salih Kovaçi [26]. Në shenjë të hakmarrjes sadiste komandanti urdhëroi partizanët të pushkatonin dy veta. Një ushtarak i nxori nga rreshti pikërisht Rasim Ahmatin dhe Qazim Kovaçin, u urdhëroi gatitu njërin pranë tjetrit dhe me një plumb në kokë i rrëzoi përtokë. Tani rafalë mbi ta shtinë edhe partizanët e tjerë. I lanë të vrarit në vend dhe me të tjerët, kodërmëkodër, duke i rrahur me kondakë dhe shqelma, duke i rrëzuar e përdhosur, i nxorën në xhade, mu aty ku sot është vendkalimi Maqedoni - Kosovë. Në të dale nga Hani i Elezit i nxorën nga rreshti Sefë Bardhin (70) me djalin, Haçifin (16). Shkau që i mori, për t’i “pushkatuar” ishte nga Serniqi, një murator i cili kishte punuar në ngritjen e shtëpisë së Sefës. Sa po i largonte nga rreshti, drejt një malishte, u tha: “Do të shti mbi juve, bini përtokë dhe pritni deri sa të largohemi…!” Skenarin e plotësoi me përpikëri.

Vetëm nja tridhjetë metra më tutje, pra, të Ujët e Tharbtë, i nxorën nga rreshti katër veta dhe i pushkatuan: Kamer Tushën, Haxhí Rafiz Tushën, Islam Tushën dhe një tjetër[27]. Në vazhdim, të tuma Dheu i Bardhë, pushkatuan edhe tre-katër të tjerë[28]. I nxirrnin në grupe ashtu siç ishin të lidhur. Në “partinë” e katërt, nxorën për t’i pushkatuar: Emin Bardhin, Fazli Ahmatin dhe Rasim Tushën. Breshëri i plumbave la të vrarë Rasimin, të plagosur rendë Fazliun[29] dhe midis tyre, pa asnjë plumb, shpëtoi Emini, i cili u shti si i vrarë[30]. Vetëm në nja 20 metra më larg tyre i nxorën për pushkatim: Sadri Lusjanin, Mustafë Arrnorin dhe Sinan Tushën. Breshëri korri vetëm Sinanin, kurse Sadriu dhe Mustafa ikën me plagë në trup dhe nëpër breshër të plumbave. Komandanti Nikodin Urdarevski vazhdoi itinerarin e përgjakur në drejtim të Kaçanikut, deri sa i pushkatoi të gjithë. Nga pushkatimi shpëtuan disa trima dhe disa me fat, me plagë ose pa plagë. Këtu duhet të theksohet fakti se me togun e krimit të Urdarevskit ishte edhe oficerja Qefser Hasan Shukriu, me gjak të përzier shqiptar e sllav[31], e mbajtur për turke[32], e cila kishte për detyrë të pushkatuarve t’ua vërtetonte vdekjen me një plumb në kokë.

Pasi komandanti partizan Nikodin Urdarevski zbatoi urdhrin e Shtabit të Brigadës XVI Maqedonase, përkatësisht të serbit Glisha Sharanoviq, ushtrinë e tërhoq të Qarret e Livadheve, për tambajtur nën vështrim ikjen e grave, të fëmijëve dhe të krejt pak burrave të “kursyer”. Vërtet, nata e 16 dhe 17 nëntorit 1944 është nata më e llahtarshme në historinë e Bllacës, por jo e panjohur në kujtesën shqiptare të hidhur të pushtimeve serbe, bullgare e malazeze.

Nga mëngjesi i 17 nëntorit 1944, raja serbo-bullgare e Karadakut gjithsesi nën mbrojtjen e ushtrisë partizano-çetnike sulmoi Bllacën, për ta fshirë përfundimisht shqiptarësinë e saj. Vranë dhe masakruan tetë veta, të cilët nuk e kishin lëshuar fshatin: Sinan Luçin e kallën me gjithë shtëpi. Vranë: Daut Ferën, Hazis Doçin dhe nipin e tij, Rizahun[33], Ziber Kokën, Myrtezan Kokën, Minah Shehun dhe Arife (Lifë) Tushën. Shpëtuan dëshmi për krimin: Hasan Kovaçi, i plagosur me pesë plumba dhe Sejdi Lusjani, i plagosur me 4 plumba.

Në kohën deri sa civilët serbo-çetnikë po e bastisnin dhe po e plaçkisnin fshatin shtëpi për shtëpi, dhe po i vrisnin të gjithë ata që i hasnin, ushtria partizane e Urdarevskit shtiu me top nga Qarret e Livadheve dhe mori në shënjestër Xhaminë. Predha depërtoi murin dhe qëlloi hytbën. Kjo ishte edhe një dëshmi se shqiptaria dhe islami ishin njëni e pandashme për shqiptarësinë e Bllacës, të Karadakut dhe të Shqipërisë Etnike.

Serbo-bullgarët e Karadakut të Shkupit plaçkitën pasurinë e lëvizshme, çdo gjë të vlefshme, shtroje, mbuloje, drithëra, orendi shtëpiake, kafshët, qerret me gjithë qe, me një fjalë çdo gjë të kushtueshme. Kallën edhe tri shtëpi: të Islam Tushës, të Kamer Tushës dhe të Elez Kovaçit dhe plemen e Emin Ferës. Vërtet, prej 77 familjeve të Bllacës, dy familje bllacake nuk i preku dora e zezë çetniko-komuniste, as në meshkuj as në pasuri. Këto ishin pikërisht familjet e dy bashkëpunëtorëve të Lëvizjes Antifashiste kominterniste, ajo e Fetah Kovaçit dhe e Shaban Arnorit.

Në fille të zbardhjes së tragjedisë

Në fshatrat e Karadakut dhe të Kaçanikut, deri aty ku arritën gratë dhe fëmijët e traumatizuar të Bllacës, do të përhapën lajmet se në Bllacë ndodhi tragjedia, se u bë masakër, por askush nuk mund t’i paramendonte përmasat e saj.[34] Asnjë bllacak, çoftë edhe nga ata të cilët i përjetuan pushkatimet, vrasjet dhe plaçkitjet, nuk mund të pasqyronte as atë që kishte parë. Nuk mund të dinte saktësisht djali për fatin e t’et, babai për fatin e djalit, nipi për fatin e gjyshit, gjyshi për fatin e djalit dhe të nipit. Shumë familje kishin nga dy e tre të pushkatuar. Tashti Bllaca ishte plotësisht e braktisur, plotësisht e shkërmoqur. Kufomat e martirëve ngelnin të katandisura nëpër shtëpitë, nëpër oborret dhe nëpër lagjet e Bllacës, në arrnicë te Stanet e Toçit, kostrevë, te Kodra Epërme, te Ujët e Tharbtë, te Dheu i Bardhë, grupe-grupe. Qarkullonin dezinformata e paragjykime të ndryshme për shkakun e masakrës - si provokim i armatosur i shqiptarëve, si hakmarrje e komunistëve serbo-maqedonë për vrasjen e një serbi, si dënim i partizanëve për pjesëmarrjen e bllacakëve në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, etj.[35]

Vetëm në të shtatën ditë të krimit masiv, të 16 Nëntorit të Përgjakur, falë kryeplakut të Dremjakut - Beqir Shaqirit, i njohur në popull me pietet si Beqë Dremjaku, u bë publike se në Bllacë ushtria partizane, pikërisht Brigada XVI Maqedone, zbatoi plojë dhe etnocid ndaj shqiptarësisë shekullore të Bllacës së Karadakut, se partizanët serbo-maqedonë çetniko-komunistë të Karadakut të Shkupit, më 15, 16 dhe 17 nëntor 1944, kishin pushkatuar dhe masakruar 109 veta të lindur midis vitit 1869 dhe 1930, se kishin plagosur 8 veta[36] dhe një e kishin dërrmuar me dru[37], se kishin shkretuar 75 familje nga 77 sa pati fshati, për të vetmin faj dhuratë nga natyra, pse Bllaca ishte fshat shqiptar me rrënjët në Iliri, pse banorët e tij ishin të lindur dhe të rritur shqiptar, denbabaden.

Pikërisht në ditën e mërkurë, më 22 nëntor 1944, Beqë Dremjaku arriti të ndikojë në Komandën Ushtarake të Kaçanikut t’ia jepte gjashtë partizanë me të cilët do të vinte në Bllacë për t’i vërtetuar informatat alarmante. Në hyrje të fshatit Beqë Dremjaku, në krye të ushtarëve serbë, hasi në një hordhi serbo-maqedone të Karadakut, të cilët kishin ardhur për t’i kallë dhe për t’i rrafshuar përtokë të gjitha shtëpitë e Bllacës. Koincidenca e ardhjes së Beqës me gjashtë partizanët e shpëtoi Bllacën nga shkatërrimi përfundimtar. Beqë Dremjaku para se të nisej nga Kaçaniku për në Bllacë, kishte dërguar kasnecë në fshatrat përreth: Kodërtrim[38], Paldenicë[39], Dremjak, Topojan dhe Dimcë dhe i kishte ftuar burrat të vinin në Bllacë, për t’i varrosur martirët e kombit. Me këta erdhi edhe ndonjë bllacakë, midis të të cilëve ishte edhe gruaja e fisme e Xhafer Ferës - Arife Axhami.

Më lartë u tha se partizanët serbo-maqedonë kishin vrarë dhe masakruar 109 shqiptarë. Ky numër është përfillë në listën që ka hartuar Këshilli Organizues për ngritjen e Memorialit “Masakra e Bllacës”. Duket se është më i sakti.[40] Ndërkaq, në kujtesën historike të hidhur nga dita e varrimit, më 22 nëntor 1944, flitet për 128 bllacakë të pushkatuar dhe të therë: 1 më 15 nëntor, 119 më 16 nëntor dhe 8 më 17 nëntor. [41]


Pjesë e Qendrës memoriale të Bllacës

Dardanicum Sagittarius

Administrator

  • "Dardanicum" started this thread
  • Albania

Posts: 2,732

Date of registration: Jun 22nd 2010

Level: 44 [?]

Experience: 3,815,527

Next Level: 4,297,834

  • Send private message

4

Sunday, August 16th 2009, 10:23pm

Tërë veprimtarinë rreth varrosjes së martirëve të Masakrës së Bllacës e udhëhoqi urtaku trim, Beqë Dremjaku. Martirët e Bllacës u varrosën në katër vende, në varre të veçanta, njërin pranë tjetrit. Rreth 60 veta u varrosën në një shulla mali të Stanet e Toçit. Këtu, njërin pranë tjetrit, i varrosi tre djemtë Arife Axhami - Fera: Halimin, Brahimin, Hasanin. Burrëresha i shënoi varret e tyre me gurë. Tek Ujët e Tharbtë u varrosën rreth 40 veta dhe tek Ura e Kasharit 8 veta. Në këto tri varreza mund të besohet se pati të varrosur edhe të pushkatuar nga fshatra të tjera të Karadakut e të Kaçanikut. Tetë martirët e rënë në fshat, më 17 nëntor 1944, i varrosën në Varrezën e Katunit. Këtu duhet të theksohet edhe fakti se martirët u varrosën pa ceremoni fetare, me rrobat dhe gjësendet që i kishin në xhepa dhe në varre pa dërrasa, mënyrë kjo identike me varrosjen e shehidëve të rënë në linjat ballore të luftës për liri dhe për dinjitet njerëzor.

Martirët e Masakrës së15, 16, 17 nëntor 1944

Nga vëllazëria Ahmati[42]: Arif Fazliu (1874), Memish Limani (1884)[43], Ibish Shabani (1885), Rasim Hamiti (1904), Metush Mehmeti (1904) dhe Halil Arifi (1919);

Nga vëllazëria Arrnori: Rafiz Elmazi (1916);

Nga vëllazëria Bardhi: Avdi Neziri (1884), Ali Azemi (1884), Fazli Xhaviti (1919), Hebib Salihu (1924), Kurtesh Xhelili (1884), Rrustem Elmazi (1904), Zijadin Sahiti (1894) dhe Zelfi Elmazi (1899);

Nga vëllazëria Çajani: Beram[44] Ajeti (1910), Isman Ahmeti (1910) dhe Rrahman Hamiti (1909).

Nga vëllazëria Doçi: Aziz Asllani (1884), Avdi Nebiu (1926), Nebi Avdiu (1884), Muharrem Berami (1909), Islam Berami (1912), Emin Rrahmani (1916), Shaqir Rexhepi (1916) dhe Rizah Asllani (1930);

Nga vëllazëria Doshlaku: Nuredin Zeqiri (1899) dhe Rrustem Baftiu (1919);

Nga vëllazëria Fera: Daut Halimi (1884), Qemail Nuhiu (1914), Xhavit Nuhiu (1884), Halim Xhaferi (1900), Brahim Xhaferi (1902), Hasan Xhaferi (1918), Idriz Ajeti (1894), Rushit Avdyli (1899) dhe Shukri Avdyli (1914).

Nga vëllazëria Imishti: Qamil Jakupi (1894), Shabi Jakupi (1874), Eshref Selmani (1884) dhe Xhemail Eshrefi (1924);

Nga vëllazëria Koka: Alush Elmazi (1923), Dehar Syla[45] (1926), Jenuz Elmazi (1912), Murtesan Hasani (1874), Metush Islami (1923), Mustafë Aliu (1884), Halim Avdyli[46] (1914), Xhemail Syla (1905), Sami Jahiu (1924), Xhavit Asmani[47] (1912) dhe Ziber Sejfullahu (1874);

Nga vëllazëria Kovaçi: Brahim Rrahmani (1926), Hamdi Hasani (1920), Muharrem Berami (1889), Miftar Mehmeti (1894), Qazim Hasani (1918) dhe Rrahman Ziberi (1884);

Nga vëllazëria Luçi: Hamit Syla (1894), Sinan Syla (1869) dhe Sherif Syla (1886);

Nga vëllazëria Lusjani: Alush Jahiu (1892), Azem Bislimi (1918), Emin Dervishi (1869), Ilaz Berami (1884), Ismail Hasani (1914), Xhemail Ilazi (1892), Hamdi Limani (1887), Qamil Jahiu (1917), Rufat Jahiu (1889), Rizah Ilazi (1922), Ramë Limani (1892), Rushan Isufi (1892) dhe Shaban Limani (1889);

Nga vëllazëria Muça: Ali Tahiri (1894) dhe Beram Kurtishi (1900);

Nga vëllazëria Salihasi: Asllan Feta (1889), Beram Ramizi (1905), Bektesh Rrustemi (1904), Feriz Salihu (1904), Latif Ramadani (1885), Nezir Miftari (1925) dhe Zenun Feta (1884);

Nga vëllazëria Shehu: Halim Metushi (1894) dhe Minah Ramadani (1919);

Nga vëllazëria Toçi: Jahi Qahili (1905), Jenuz Beqiri (1906), Rushit Qahili (1903) dhe Sabedin Sinani (1888);

Nga vëllazëria Tusha: Arife (Life) Ademi (1874), Beqir Sadiku (1900), Naip Avdyli (1915), Mehmet Veliu (1926), Musli Aliu (1884), Ismail Veliu (1924), Jahi Ferati( 1919); Kamer Haliti (1894), Idriz Hasani (1904), Islam Salihu (1894), Mustafë Berami (1904), Xhelil Nuredini (1904), Rasim Hasani (1899), Rufat Brahimi (1924), Rushit Nuredini (1894), Sahit Salihu (1904), Sinan Haliti (1909), Shukri Beqiri (1927) dhe Veli Ismaili (1879).[48]

Nga Masakra e 15, 16 dhe 17 nëntorit 1944 shpëtuan me plagë këta bllacjanë: Elmaz Salihasi, Mulla Nazmi Luçi, Hasan Kovaçi, Fazli Ahmati, Tanush Shehu, Sadri Lusjani, një shkupjanë[49] dhe Ragip Doçi[50], kurse e derrmuan me llos Ramadan Muçën.

Dardanicum Sagittarius

Administrator

  • "Dardanicum" started this thread
  • Albania

Posts: 2,732

Date of registration: Jun 22nd 2010

Level: 44 [?]

Experience: 3,815,527

Next Level: 4,297,834

  • Send private message

5

Sunday, August 16th 2009, 10:25pm

Mesazhi si mësim historik

Katundi i martirizuar, Bllaca, i cili më 14 nëntor 1944, pati rreth 700 banorë, nga mesi i nëntorit 1944 deri në mesin e janarit 1945, ishte i vetmi katund shqiptar të cilin nacionalçlirimtarja kominterniste serbo-maqedone, e ktheu në gërmadhë të fantazmës së vdekjes, pa asnjë banorë etnikë. Vetëm pas dy muajve nisi kthimi i banorëve, por me një ritëm të ngadalshëm. Përfundimisht jeta në familjet e Bllacës së përgjakur do të përtëritët pesë muaj pas plojës, por kujtesa për Masakrën e 16 nëntorit 1944, mbeti plagë e shqiptarësisë së Bllacës që kullon gjak, i cili as guxon të harrohet, as guxon të falet.

Ky është amanet i gjakut të dëshmorëve dhe të martirëve të kombit, emrat e të cilëve janë skalitur në Memorialin >>Masakra e Bllacës<<, të cilin ua ngritën pasardhësit - Në 60-vjetorin e rënies për shqiptarinë. Dhe, betimi ynë kolektiv, sot, amanet për brezat, është:

Emrat e dëshmorëve dhe të martirëve të gdhendur në granit janë dëshmi për pavdekësinë e tyre, janë tapi e shqiptarësisë së vendit që, as bën të lihet shkret, as mund të falet dhe as guxon të shitet, kurrë. Aq më parë se ky Memorial dhe liria që synon shqiptaria, janë dhuratë e luftës dhe e gjakut të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e mbështetur si mbi shkëmbin në Bllacën historike dhe bllacakët atdhetarë anë e kënd trojeve të Shqipërisë Etnike.[51]

Njëri pranë tjetrit: nipi, i et e gjyshi

Pre e planeve gjenocidiale sllave albanofobe Tokën stërgjyshore vaditën me gjakun arbëror

Kurbanë në themele të shqiptarisë për brezat

Përjetësisht çimentuar në të Iliridës Altar.

16 Nëntor 1944 Bashkëfshatarët 16 Nëntor 2004

Dardanicum Sagittarius

Administrator

  • "Dardanicum" started this thread
  • Albania

Posts: 2,732

Date of registration: Jun 22nd 2010

Level: 44 [?]

Experience: 3,815,527

Next Level: 4,297,834

  • Send private message

6

Sunday, August 16th 2009, 10:27pm

REFERENCAT:

[1] Shih për krahasim: B. Nušiæ, Kosovo. Opis zemljei naroda, I, N. Sad, 1902; Kosovo, II, N.Sad, 1903; A. Uroševiæ, Etniæki procesi na Kosovu tokom turske vladavine, Beograd, 1987; M. Pirraku, Demistifikimi i paragjykimit: “Kosova është zemra e Serbisë!”, Gjurmime albanologjike, SSHH 22-1992, Prishtinë, 1994, 39-62.

[2] Informatat e mia për historikun e Bllacës i plotësova me kujtesën historike të shtresuar në Bllacë e të rikujtuar nga këta informatorë: Haxhí Enin Imeri (1920); Haxhí Mahmut Tusha (1926), Haxhí Rafiz Tusha (1934) dhe Sami Tusha, veprimtar, anëtar i Këshillit Organizues për ngritjen e Memorialit >>Masakra e Bllacës<< , Shkup, më 15 shtator 2004, nga ora 9.20-15.15.

[3] Quhet edhe Zabeli i Katunit.

[4] Zall me gëlqere, horasan.

[5] Kishëz në varrezat ortodokse.

[6] Këtë lokalitet arkeologjik e kam vizituar më 15 shtator 2004, i përcjellë nga veprimtari bllacak, Sami Tusha.

[7] Aty aktualisht janë vetëm tri varre të shënuara të djemve të Xhafer Ferës. Ata i varrosi e ëma e tyre, Arife Axhami - Fera. Varret e tjera i rrafshoi pushteti partizan ushtarako - policor, natën, dy muaj nga varrosja.

[8] Vendi ku është mbishkrimi është drizë murrizi, kaçe, kulumbrie e fieri. Më 15 shtator 2004, nuk arrita të depërtoj pranë nishanit.

[9] Ndonëse nishani është nga mesi i shekullit XVII, i vdekuri (merhum-i) është mysliman i biri myslimanit, do të thotë, i et i tij, mysliman, ka jetuar nga mesi i shekullit XVI.

[10] Shih gjerësisht, dr. Muhamet Pirraku, Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989; Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët. Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15.16.17 Tetor 1992, Prishtinë 1995.

[11] Kjo xhami ka përjetuar tri meremetime, por e ka ruajtur pamjen arkitektonike fillestare. Pas fitorës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, më 2001, në Iliridë (Maqedonia Perëndimore), në fshat u ngrit edhe një xhami madhështore.

[12] Çaushët e kapën zaptin “murtat” (tradhtar) e dënuan mizorisht, duke ia prerë kokën atij dhe dhe vëllait, Halitit.

[13] Në fillim të ripushtimit të dytë të Dardanisë antike - Kosovës historike nga Serbia, Qazim Fera iku në Turqi. Atje hyri në shërbim të pushtetit të Ataturkut dhe më vonë u vra në një luftë kundër kurdët çlirimtarë.

[14] Thuhet se u vra “për motive të ulta”’, më 1943. Vrasësi u dënua me 101 vjet burg, por iku nga burgu pas kapitullimit të Bullgarisë.

[15] Tre të tjerëve nuk arrita t’ua evidencojë emrat. Mund të mos ishin bllacakë.

[16] Gjerësisht, Ranadan Asllani, Abdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike, Prishtinë, 1998, 148.

[17] Shih, M. Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992, 19-49.

[18] Gjerësisht, Po aty, 37, 41; M. Pirraku, Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000, 99-101.

[19] Gjerësisht, M. Pirraku, Ripushtimi, fq. 42-43; Për kauzën shqiptare, fq. 109

[20] Shih, M. Pirraku, Ripushtimi, 47-48.

[21] Emri tjetër, i serbizuar, është: Nikodim Urdareviq (Ramadan Asllani, Abdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike, Prishtinë, 1998,143).

[22] Dy këshillat e tjerë ishin: Islam Tusha dhe Elez Kovaçi, kurse emrin e këshillit të katërt nuk arrita ta evidentojë.

[23] Imishti (6), Ahmati (8), Bardhi (22), Doçi (6), Toçi (9), Lusjani (10), Shehët (3), Kokajtë (11), Arrnorët (3), Tusha (12), Dodaj (2), Kovaçi (9), Doshlakët (3), Feraj (9), Çajanët (5), Salihasaj (6), Muçët (6), Luçët (8 familje).

[24] Në këtë pjesë të fshatit partizanët kryen orgji edhe me gratë e mbetur pa mbrojtjen e burrave. Shih, M. Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992, 47-48..

[25] Ishin këta burra të pjekur: Ramiz Fera, Brahim Kovaçi dhe Metush Koka.

[26] Gjatë ecjes ia kishin dalë të zgjidheshin dhe kishin pritur momentin dhe terrenin strategjik për të ikur. Ndonëse ndaj tyre u shti me breshër plumbash, shpëtuan pa asnjë plagë.

[27] Nga informatorët e mi nuk arrita të mësoj për emrin e të të katërtit.

[28] Në bazë të kujtesës së të pranishmëve, ishin kryesisht meshkuj të vëllazërisë Lusjane.

[29] Fazli Ahmati në Masakrën e Bllacës humbi t’et, Arifin, i lindur më 1874 dhe vëllain, Halilin, i lindur më 1919.

[30] Pas largimit të partizanëve nga vend i krimit, Emin Bardhi (i lindur më 1920) ia doli të tërhiqte të plagosurin. Tashti Emini është haxhí dhe jeton në Shkup.

[31] Hasan Shukriu i përkiste një familjeje shqiptare shkupjane me tradita patriotike. Ishte i martuar me një maqedone, e cila i lindi Qefserin.

[32] Qefser Shukriu u martua, më 1945, me Kemal Haxhí Kasëm Fejzullahu, vegël komuniste antishqiptare në duar të Cërvenkovskit dhe të Gligorovit.

[33] I lindur më 1930.

[34] Shih, Ramadan Asllani, Abdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike, Prishtinë, 1998, 148-153.

[35] Po aty; Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare (1844-1990), Tiranë, 1992, 439-440; Nazif Selimi, Dëshmitë e gjalla, Shkup, 1998, 71; Rexhep Bunjaku, Kosova, Besa dhe tradhtia (Kujtime), Prishtinë, 1998, 18.

[36] Elmaz Salihasi, Nazmi Luçi, Hasan Kovaçi, Fazli Ahmati, Tanush Shehu, Sadri Lusjani, Ragip Doçi (10 vjeç) dhe një musafir, dhëndër i Qamil Bardhit nga Shkupi.

[37] Ky ishte Ramadan Muça.

[38] Ish-Gjurgjedell.

[39] Ish-Palivodenica.

[40] Këshilli Organizues për Memorialin e Masakrës së Bllacës e ka mbështetur në informatat e 36 vetave, moshash të ndryshme, që u përkasin të gjitha vëllazërive të Bllacës. Listën ma dërgoi (me Email) gazetari Ismail Sinani, më 1 nëntor 2004.

[41] Shih, Dr. M. Pirraku, Ripushtimi,43,48; Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Prishtinë, 1995, 138; R.Asllani, Abdyl Dura me bashkëluftëtarë, 153.

Në disa libra të tjerë, nuk është përfillë numri nga kujtesa historike. Numri i të martirizuarve në Masakrëne Bllacës tregohet si 137, 170, 180 madje edhe 280. Shih:Nazif Selimi, Dëshmitë e gjalla, 71; Sh.Braha, Gjenocidi serbomadh, 440; R. Bunjaku, Kosova, Besa dhe tradhtia, 18.

[42] Ky etnonim në administrate shkruhet në trajtën sllave: Amati. Informatorët e mi ma theksonin Ahmati, por e thonë edheAmati.

[43] Nga vend i plojës u tërhoq i plagosur, por vdiq afër Mullirit të Haki Dremjakut. Varrin e ka në Dremjak të Kosovës.

[44] Informatorët e mi ma theksonin në trajtën Bajram, por në popullndihet edhe Beram sikurse edhe për emrin Behram.

[45] Në administrate mbahet trajta sllave Sula. Informatorët e mi e përfillin këtë trajtë pasi në të folur u mungon zanorja >y<.

[46] Informatorët e mi e përdorin në trajtën Avdili, në mungesë të zanores >y< në koinenë e të falmës së Karadakut.

[47] Informatorët e mi emrin Osmani e përdorin në trajtën Asmani.

[48] Për evidencimin e të pushkatuarve, të vrarëve, të mbyturve me dru dhe të plagosurve Këshilli Organizativ për ngritjen e Memoria;it >>Masakra e Bllacës<< u mbështet në informatat e dhëna nga këta bllacjanë të moshuar: Ramiz Fera, Mahmut Tusha, Emin Bardhi, Shaban Tusha, Raif Tusha, Ilmi Luçi, Hisen Ahmati, Ramadan Kovaçi, Shefki Kovaçi, Nebi Tusha, Qamil Arrnori, Elez Doçi, Hetem Doçi, Murat Doçi, Sefë Lusjani, Sabri Koka, Azem Doshlaku, Sinan Toçi, Shefket Koka, Nuhi Çajani, Ramiz Çajani, Rasim Muça, Mexhit Muça,Hazir Shehi, Rafiz Tusha, Beqir Lusjani, Medi Lusjani, Shaqir Ahmati, Elez Salihasi, Faik Muça, Haçif Ahmati, Haçif Doçi, Rushan Muça, Tefik Fera dhe Mehdi Bardhi.

[49] Dhëndër i Qamil Bardhit.

[50] Fëmijë në moshën dhjetëvjeçare. U plagos duke ikur nga fshati së bashku me t’ëmën.

[51] Bllaca i dha UÇK-së dy dëshmorë: Nexhmush Ferën dhe Shefket Ferën.

Counter:

Hits today: 6,190 | Hits yesterday: 10,374 | Hits record: 30,310 | Hits total: 8,924,040

Legend:

Forum contains no new posts
Forum contains new posts
Forum is closed
Forum is an external link